Është nga më të pushtetshmit në botë, por në zyrë Putin mban një kompjuter me program të “skaduar”


Mund të ketë qenë edhe një agjent i aftë në shërbimet sekrete ruse, por Vladimir Putin është larg nga prototipi i 007-ës për sa i përket përdorimit të teknologjisë së fundit. Këtë e ka konfirmuar disa herë vetë presidenti rus, i cili ka pranuar se nuk është, përshembull, një ndjekës i rrjeteve sociale.

Por një tjetër konfirmim vjen edhe nga disa foto zyrtare të shpërndare nga vetë zyra e shtypit, ku duket Putin në zyrën e tij, si dhe desktopi i kompjuterit.
Nuk duhet të jesh shumë ekspert për të njohur formatin e Windows XP, programin e suksesshëm por tashmë të braktisur nga vetë kompania amerikane e informatikës.

Në fakt, arsyeja është më e komplikuar, Rusia ka vënë disa limite mbi përditësimin e programeve dhe software të huaj. Windows XP, i shpërndarë në vitin 2001, u certifikua nga Qeveria Ruse, ndërkohë që Windows 10 nuk mund të përditësohet nga zyrtarët e lartë që mbajnë sekrete shtetërore.

Edhe pse shumë institucione shtetërore ruse kanë kaluar tashmë në versioni rus të sistemit Astra Linux, me sa duket Kremlini ka mbetur disi mbrapa.