Nacionalizmi, Shqipëria etnike dhe lëvizja N.-ÇL.



Zakonisht katastrofat, në jetën e kombeve, kanë një aftësi bashkimi e kompaktësimi të shoqërisë në gjirin e tyre. 7 prilli 1939, në historinë tonë, nuk pati një fat të tillë. Ai e ndau disa pjesësh opinionin shqiptar e madje dhe mënyrën e paraqitjes së tij në historiografi.
Është shkruar e folur shumë për këtë ngjarje ogurzezë për pasojat që pati në historinë e Shqipërisë. Propaganda komuniste vazhdon edhe sot të shkruajë se Mbreti Zog i’a shiti Shqipërinë Italisë, po ashtu sikurse akuzohet Mërgata politike shqiptare për të njëjtin veprim. Nuk ka asgjë më të rreme e më pa baza se ky “postulat”, që prej gati 80 vjetësh turbullon kujtesën historike të shqiptarëve. Asnjë shqiptar, i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu, nuk ka pasur mundësi t’a shmangë. Sfidoj cilindo që të vërtetojë të kundërtën e këtij pohimi, qoftë edhe me një dokument të vetëm të vërtetë, jo me hamendje dashakeqe demagogjike, të vëna në shërbim të politikës e të mbetura të tilla edhe sot, kur ajo lloj politike ka dështuar duke lënë mbrapa vetëm gërmadha.
Mbreti Zog që, deri në fund, i vazhdoi tratativat vetë ose nëpërmjet titullarëve të Qeverisë, vendosi të largohet kur e kuptoi se kërkesat italiane nuk mund të pajtoheshin me pavarësinë shqiptare. Bisedimet ishin një shprehje e hipokrizisë së politikës italiane, mbasi vendimi për pushtimin ishte marrë nga Kryeministri italian dhe ministri i jashtëm i tij, rreth një vit më parë. Mjafton të lexohet Ditari i Çianos :
“Viti 1938 30 prill.
I referoj Duçes mbi udhëtimin në Shqipëri. Do t’i përmbledh në një raport. Po ai menjëherë bie dakord për nevojën e një zgjidhjeje integrale e më thotë se, për të pasur Shqipërinë është gati deri atje sa të bëjë një luftë. Duke i dorëzuar një kampion të mrekullueshëm bakri nga minierat e Lezhës, i thashë : “Ja fiqtë e Kartagjenës”.
10 maj. Në tren me Duçen diskutuam promemorien time mbi Shqipërinë. Bie dakord me vendimet e mia e mendon që muaji i mirë për veprim do të jetë maji i ardhshëm. Kështu do të kemi një vit për përgatitjet lokale e për ato ndërkombëtare. Meqenëse do të krijohet një krizë diplomatike dhe Franca me Ingliterrën do të jenë patjetër kundra nesh, është mirë të shtrëngohet Pakti me Gjermaninë. Kjo do të vlejë edhe për t’i këshilluar Jugosllavisë një moderim të madh. Jugosllavia e veçuar nga miqësitë e saj perëndimore e lindore, e shtrënguar midis Italisë e Gjermanisë, do të duhej të durojë e të adaptojë qëndrimin që kemi adaptuar ne ndaj Anshlusit.
Fola me Jakomonin e kërkova të më përgatiti një plan veprimi lokal:vepra publike, bamirëse, veprimtari ekonomike, sportive e, mundësisht, politike.
19 maj. …. Si pasojë e një informacioni nga Tirana lidhur me aktivitetin e ekzagjeruar të Ministrit të Gjermanisë, Duçja më tha t’i bëj të ditur Ribentropit se ne e konsiderojmë çështjen shqiptare si “çështje të familjes”; formulë e përdorur nga ata për Austrinë e Sudetet. Pra “hands off”. Deklaroi se është gati të shkojë menjëherë në Shqipëri edhe me çmimin e ndezjes së luftës evropiane. Tani po vlerëson mjetet ushtarake.”
Këta ishin planet e fshehta të drejtuesve të Shtetit italian që, në asnjë rast, nuk mbanin parasysh e nuk merrnin në konsideratë vullnetin e shqiptarëve, as për të diskutuar mbi një kundërveprim të mundshëm të tyre. Janë shprehje të mendësisë megalomane të shtetit të madh në një epokë ku gjithnjë e më tepër zotëronte fuqia dhe zbeheshin liritë e të drejtat, mendësi që gjen edhe një motiv tjetër shtytës në garën me miken rivale, Gjermaninë. Kjo e fundit kishte pushtuar Austrinë më 12 mars 1938 dhe do të sulmonte Çekosllovakinë më 15 mars 1939, duke detyruar Presidentin Hacha të nënshkruante pushtimin dhe ndarjen e Vendit në dy shtete: Çeki dhe Sllovaki. Fillonte kështu zbatimi e “rendit të ri” në Evropë, me rikthimin e disa territoreve që Konferenca e Versajës i kishte mohuar Hungarisë e Polonisë.
Ishte para hyrja e Luftës së Dytë botërore, të cilën Anglia e Franca u munduan, në të gjitha mënyrat, t’a shmangin ashtu siç bëri dhe BS, duke nënshkruar Paktin e mossulmimit me Gjermaninë. Më parë ishte zhvilluar konferenca e Mynihut, një përpjekje skajore për të ndaluar luftën që afrohej. Ajo qe një mashtrim i madh që Hitleri i bëri tre kolegëve të tij, përfshirë këtu, veç kryeministrave të Anglisë e të Francës edhe Musolinin, të cilët u larguan që andej me bindjen se kërkesat e Gjermanisë, me marrjen e Sudeteve, ishin plotësuar. Aq sa kryeministri anglez, me t’u kthyer në Londër, deklaroi i kënaqur : “Besoj se ka paqe për epokën tonë”….
Duke u kthyer tek përgjegjësitë hipotetike shqiptare për pushtimin, ato mund të barazohen me zero. Mbreti shpresoi deri në fund se do të gjente një marrëveshje me Musolinin, që të ruante pavarësinë e Vendit. Qeveria shqiptare pranoi të verë në dispozicion të ushtrisë italiane portet dhe rrugët që do të shërbenin për të organizuar “mbrojtjen e Shqipërisë nga ndonjë sulm i mundshëm i fqinjëve”, por këto nuk mjaftuan. Mesazhet mes Zogut dhe Musolinit vazhduan deri më 6 prill, por Mbreti shqiptar e kuptoi se i duhej të vendoste ndërmjet ikjes nga Vendi dhe qëndrimit në kushtet e vartësisë italiane. Nga shumë anë kanë rrjedhur paditë se Mbreti nuk organizoi qëndresën e armatosur. Vendimi i Mbretit ndryshe nga kjo mundësi tregoi pjekurinë, largpamësinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë ndaj interesave t’Atdheut, sepse shtyrja e këtij të fundit drejt vetëvrasjes ishte shërbimi më i keq që mund t’i bëhej. Ishte praktikisht e pamundur, sepse nuk kishte asnjë mundësi qëndrese ndaj një ushtrie të madhe e të pajsur me mjete bashkëkohore lufte. Qëndresa do të thonte dëme të pallogaritshme në njerëz e në pasuritë e qytetarëve e të Shtetit, sepse “dyfekët me gjalmë” nuk mund të haheshin me topat apo aeroplanët e Italisë. Dikush mund të nxjerrë si argument qëndresën greke më vonë kundrejt sulmit italian, por rastet nuk ngjasojnë, jo vetëm se Greqia kishte një ushtri të organizuar më së miri, por edhe sepse mbas saj qëndronte Anglia, e gatshme të dërgonte forcat e saj në ndihmë. Shqipëria nuk mori nga Qeveritë e Evropës asnjë lloj inkurajimi për fatkeqësinë e saj.
Gjykimet mbi çaste të caktuara të historisë duhet të mbajnë parasysh veçantitë dhe rrethanat e atyre çasteve. Një gjykim që bazohet vetëm mbi parime, pa u ballafaquar me ato veçanti e rrethana, kthehet në një moralizim shterpë e nuk mund të jetë as i saktë e as objektiv. Mos të harrojmë se asnjë nga shtetet e vegjël evropianë, duke filluar nga Norvegjia e Danimarka në veri, tek vendet e Beneluxit në perëndim, tek republikat baltike në lindje, tek shtetet e Evropës qendrore, nuk organizuan qëndresat që mëtonin komunistët shqiptarë në historiografinë e tyre, mbasi këto qëndresa kërkonin ushtri të organizuara në shkallën më të lartë. Madje Franca e më pas Rusia treguan se edhe këto ushtri ishin të pamjaftueshme të përballonin fuqinë ushtarake gjermane. Koha provoi se vetëm ndërhyrja e forcave ajrore amerikane bëri të mundur kundërsulmin rus në fillimin e 1943-it dhe kthesën e luftës. Për të kuptuar sot se si jetoheshin ngjarjet e asaj kohe po sjell një pjesë nga “Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare” : “…Musolini nuk lëvizi dhe nuk i u përgjigj thirrjeve për ndihmë të Schuschnigg-ut. Atëherë, Hitleri i dërgoi një telegram Musolinit, duke thënë se “nuk do t’a harronte kurrë”. Musolini i u përgjigj : “Qëndrimi im është i përcaktuar nga miqësia mes dy vendeve tona, që është vulosur me krijimin e Boshtit”…..
Mirëpo në orën 16:30, Chamberlaini i dërgonte telegram ambasadorit të Anglisë në Vjenë, me qëllim që ky i fundit të mos këshillonte rezistencën dhe nga ana tjetër u paralajmërua edhe qeveria franceze. Pra, i vetmi reagim ishte nota e protestës, që Francois – Poncet e komunikoi mbrëmjen e 11 marsit”
Kur dhe Anglia e Franca kishin vështirësi të këshillonin qëndresën e Austrisë, që kishte qenë për shekuj një perandori, të gjitha insinuatat për Shqipërinë, nga cilado anë të vijnë, nuk janë realiste e nuk i shërbejnë vërtetësisë në paraqitjen e ngjarjeve historike dhe dinamikës së tyre.
Ato mund t’i shërbejnë demagogjisë së një pjese të politikës, asaj komuniste, për të justifikuar rrugën kriminale me të cilën e mori dhe e mbajti pushtetin. Ja çfarë deklaronte në Dhomën e Komuneve më 13 prill 1939 Kryeministri i Britanisë së Madhe :
“…Cilido që ka njëfarë ndjenje përgjegjësie nuk mund të bëjë me lehtësi diçka që mund të shkaktojë një shtim të tensionit ndërkombëtar. Secili do të dënonte humbjen e përfitimeve që rrjedhin nga marrëveshje ndërkombëtare të përfunduara mbas një diskutimi të ndërsjelltë”.
Shqipëria, e vetme në rrugën e saj, nuk kishte tjetër zgjedhje veçse të mundohej që, nëpërmjet politikës së saj, të pakësonte dëmet e pushtimit e të punonte për t’i dhënë Bashkimit një karakter sa më të dobishëm për shqiptarët. “Shqipëria e pavarur nuk ekziston më” shkruante Çiano në Ditarin e tij. Këtë e kuptonin mirë atdhetarët shqiptarë, por vazhdonin të shpresonin se në fjalët e bukura të Musolinit, Çianos apo Jakomonit do të kishte sado pak të vërtetë.
Një tjetër tezë e historiografisë komuniste është dhe një “marrëveshje” e Opozitës kundër zogiste jashtë me Italinë për pushtimin. Edhe kjo është një tjetër tollumbace propagandistike. Duke marrë si dëshmi kujtimet e M. Krujës apo të A. Këlcyrës, që kanë qenë protagonistë të ngjarjeve për të cilat flitet, është e qartë se një farë bashkëbisedimi ka ekzistuar ndërmjet organizatorit të rinisë fashiste Xhiro dhe Ernest Koliqit e Mustafa Krujës. Ky i fundit mbante në dijeni edhe kolegët e tij të Bashkimit Kombëtar mbi bisedimet.
Italianët, në kuadrin e dredhive karakteristike të politikës së tyre, donin të gjenin tek Mërgata një shkak për të justifikuar planin që kishin hartuar. Por Mërgata, që donte të rrëzonte Mbretin, ishte e gatshme të pranonte vetëm një princ të shtëpisë së Savojës për Mbret të Shqipërisë. Ishte edhe për bashkimin doganor, që do të sillte dobi për tregtarët shqiptarë që furnizoheshin me mallrat italiane. Bisedimet dështuan, sepse italianët kërkonin bashkimin e kurorave dhe vendosjen e regjimit fashist në Shqipëri. Mustafa Kruja, që kryente bisedimet, më 19 mars i telegrafoi kolegëve të BK se “Tregtia u pezullue”. Pra çdo përpjekje për marrëveshje mori fund. Më 3 prill ai shkoi në Grenobël dhe vuri në dijeni të tjerët se pushtimi ishte i vendosur e nuk kishte asnjë shpresë të pezullohej. U bë një përpjekje e dëshpëruar nëpërmjet një telegrami, drejtuar Musolinit, nga ana e Mërgatës, i firmosur nga M. Kruja, Q. Koculi e A.Këlcyra, në të cilin shprehej shpresa se Italia do t’i mbante premtimet e saj për të respektuar pavarësinë shqiptare.
* * * * *
Shqipëria u vu para një fakti të kryer. Mbreti kish ikur e Vendi ishte nën pushtim. Qendra të vogla qëndrese mbretërorësh jepnin sinjale të dobëta, ndërsa nga jashtë ngjarjet shqiptare komentoheshin vetëm nga shtypi, por nuk kishte asnjë kundërveprim zyrtar. Shqipëria zyrtare pranoi gjendjen e re dhe më 12 prill mblodhi Asamblenë Kushtetuese, ku merrnin pjesë përfaqësi të gjitha prefekturave. Ajo e Shkodrës përfaqësohej nga At Anton Harapi, At Gjergj Fishta, Gjon Marka Gjoni etj. të cilët kundërshtuan me forcë formën e Bashkimit dhe kërkuan princin e familjes Savoja për mbret. Megjithatë shumica dërmuese pranoi gjendjen e re. U emërua Qeveria e re, e kryesuar nga një veteran i politikës dhe pronar i madh tokash, Shefqet Vërlaci. Në muajt e ardhshëm u kthyen në Shqipëri dhe eksponentët e Mërgimit, që ishin të ndarë dysh : një pjesë e quanin Italinë pushtuese, me të cilën nuk duhet të ketë asnjë lloj marrëdhëniesh, kurse tjetra donte të shpëtonte atë që mundej dhe të kthente gjendjen në një përfitim sa më të madh për shqiptarët. Ai shihej në zgjidhjen e problemit kombëtar, mbasi italianët, jo haptas, kishin premtuar se do t’i bashkonin Shtetit shqiptar, që bënte pjesë në perandorinë e Romës, territoret e lëna jashtë nga konferencat ndërkombëtare.
Joshja ishte shumë e fortë dhe prirja për kundërshtimin apo qëndresën ndaj pushtimit, n’ato kohë të para, ishte pothuajse e paqenë. Ajo klasë politike që hyri në histori me nofkën “kolaboracioniste” a “bashkëpuntore” pati një sërë arritjesh në punën e saj. Së pari, Shqipërisë i u kursyen dëmet e luftës që, në pjesën më të madhe të tyre bien mbi popullin e thjeshtë. Që në fillim u morën masat për të fuqizuar e shtuar institutet shëndetësore me mjekë italianë e shqiptarë, edhe jashtë qyteteve. U bë një luftë e vendosur kundër malarjes e rezultatet qenë të kënaqshme. Veçanërisht e rëndësishme qe Shtëpia e Nanës dhe fëmijës në Tiranë. Po kështu një punë e mirë u bë për kurimin e tuberkulozit, ku pacientë në gjendje të rëndë çoheshin në spitalet italiane.
U bënë projekte të vlefshme, nga specialistë të njohur italianë, për furnizimin e Vendit me energji elektrike që, simbas llogarive, mund të arrinte në 10 miljon kw/orë në vit. Simbas këtyre specialistëve, të gjithë lumenjtë e Shqipërisë mund të shfrytëzoheshin për hidrocentrale. Ende sot, mbas 80 vjetësh, nuk kemi arritur t’i vëmë në zbatim ata studime. Parashihej një uzinë siderurgjike në Elbasan, ku u bë në fakt Kombinati Metalurgjik.
Në fushën financiare u bë barazimi i frangut shqiptar me 6,25 lira italiane. Frangu, që ishte bazuar në arin, tani duhej të bazohej në liretën, mbasi monedha shqiptare nuk mund të vazhdonte kursin e saj në gjendjen e re të krijuar me Bashkimin. Bankat u shtuan dhe shtuan vëllimin e kredive. Kështu p.sh Banka e Napolit, që kishte përfshirë dhe Bankën Bujqësore, shtoi shumat që i jepeshin si kredi bujqësisë shqiptare, nga 500.000 fr. në 1939 në 30 milionë në 1942. Banka e Punës, që i u shtua panoramës së Instituteve të kreditit, këto të fundit i shtoi nga një 1,5 milion më 1939 në 15 milion në 1942, ndërsa depozitat e saj, nga më pak se një milion arritën në 20 milionë.
Një hov morën dhe ndërtimet, sidomos në Tiranë. Qendra me ministritë dhe hotel Dajti janë punime t’asaj periudhe. Popullsia e Tiranës nga tridhjetë mijë vetë në 1939 arriti në rreth njëqind mijë në 1942. U hartuan projektet për bonifikimin e Vendit, nën drejtimin e inxhinierit senator Prampolinit, autorit të bonifikimit të Kënetës Pontine në Itali. U llogarit që, në dhjetë vjet, të përfundonte gjithë tharja e kënetave shqiptare.
Krahas arritjeve në fushën ekonomike duhet theksuar edhe një përparim në fushën e kulturës. Ky ishte i lidhur edhe me krijimin e Institutit të Studimeve shqiptare, që filloi të merrej me çështjet më të rëndësishme, si gjuha letrare kombëtare. Në këtë Institut bënin pjesë personalitetet më të njohura të jetës kulturore shqiptare, arbëreshe e mjaft studiues italianë.
Ndërmjet shumë aktiviteteve si konferenca, simpoziume, takimesh të ndryshme vlen të flitet për Kuvendin e parë kombëtar të kulturës, që u mbajt më 2,3 e 4 korrik 1942, në Strugë, Shën Naum e Dibër, në të cilin u mbajtën disa kumtesa. Kuvendin e hapi Ministri i Kulturës, Dhimitër Berati, që propozoi për kryesinë e punimeve të ditës Ministrin e Arsimit Dr. Xhevat Korça, i cili u prit me duartrokitje të nxehta nga të pranishmit. Ministri Berati vuri në dukje se ky aktivitet kishte për qëllim studimin e mjeteve e mënyrave për të përhapur kulturën, në të gjitha format e saj e në të gjitha shtresat e popullsisë.
Por sukseset më të mëdha të Qeverive nacionaliste ishin të lidhura me hapjen e shkollave shqipe në trevat e bashkuara, kryesisht në Kosovë. Buxheti i qeverisë Kruja për arsimin pothuaj se u dyfishua “nga 7.978.380 franga kishte kaluar në 13.950.000 fr. Rilindja kosovare mobilizoi gjithë inteligjencën atdhetare dhe rininë nacionaliste shqiptare që, në figurën gjithmonë të respektuar të mësuesit, u dyndën në “tokat e lirueme” për të hapur shkollat shqipe, edhe të mesme, të cilat vazhduan të funksionojnë edhe mbas ribashkimit me Jugosllavinë. Në gjithë këtë entuziazëm kombëtar për Kosovën vetëm komunistët mungonin, sepse për ta, ashtu si dikur për funksionarët otomanë, shkollat shqipe nuk ishin të dobishme. Në gjithë këtë punë të madhe duhet veçuar roli i shkëlqyer i dy Ministrave t’Arsimit në dy Qeveritë e para, të intelektualëve të rrallë Ernest Koliqi dhe Xhevat Korça, që i u kushtuan çështjes me një zell të jashtëzakonshëm, duke bërë të pamundurën, jo vetëm për ndërtimin dhe hapjen e shkollave, por edhe për plotësimin e tyre me kuadrin e nevojshëm mësimdhënës.
Organizimi i Kuvendit në “tokat e lirueme” ishte një dëshmi e interesit dhe kujdesit të “dheut amë” për të gjitha trevat shqiptare. Mbas Ministrit Berati foli shkrimtari i njohur Ernest Koliqi që mbajti kumtesën : “Ndjenja e bashkimit kombëtar në këngët popullore”. Pas tij Dr.Mihal Sherko zhvilloi temën “Problemet kulturore të Shqipërisë së sotme”. Dita e parë u mbyll me leximin e kumtesës së nënkryetarit të Dhomës korporative Qazim Nekiu, me titull “Zhvillime të bashkëpunimit kulturor italo-shqiptar”.
Dita e dytë u zhvillua në Monastirin e Shën Naumit, ku mori pjesë edhe Kryetari i Kishës ortodokse shqiptare. I pari foli gazetari Hilmi Leka mbi temën “Horizonte të reja në fushën e gazetarisë”. Prof. Rosolino Petrotta mbajti kumtesën “Gazetarët shqiptarë në Itali”, kurse gazetari Nebil Çika atë mbi “Zhvillime të gazetarisë shqiptare”. Në ditën e tretë në Dibër foli dramaturgu i njohur Ethem Haxhiademi për temën “Teatri dhe muzika shqiptare”. Pas tij gazetari Vangjel Koça foli mbi temën “Radioja si mjet kulture” e së fundi shkrimtari, gazetari e përkthyesi i mirënjohur Dom Lazër Shantoja mbajti kumtesën “Turizmi në funksionet e tij kulturorë”. Të gjitha kumtesat u pasuan nga diskutime të gjalla të pjesëmarrësve.
Të gjitha këto veprimtari shkonin në dobi të zhvillimit të Shqipërisë e të afrimit me Evropën. Edhe se italianët shikonin, së pari, interesat e tyre, kur ato përkonin me interesat shqiptare, përsëri ne ishim të fituar. Vërtetë Vendi nuk ishte i lirë por, në gjithë Evropën, vetëm tre Vende kishin mbetur të lira : Anglia, Zvicra dhe Spanja e dalë nga lufta civile. Në këtë kuadër, një pushtim i tillë, me një Qeveri shqiptare që çdo ditë ngulte këmbë për plotësimin e interesave të saj kombëtare, herë herë me rezultate mjaft të kënaqshme, nacionalizmi shqiptar e shihte me optimizëm rrugën e tij.
Sigurisht, jo të gjithë shqiptarët i shikonin ngjarjet me këtë sy. Kishte mjaft prej tyre që nuk e pranonin këtë gjendje dhe përpiqeshin të organizoheshin për qëndresë por, në vitet e para të pushtimit, ajo ishte vetëm simbolike. Megjithatë në ato pak përpjekje për të kundërshtuar pushtuesin, italianët kundërvepronin me arrestime e internime në Itali e në Shqipëri. Shumica ishin elementë komunistë që filluan të lëvizin mbas 22 qershorit 1941, ditës që filloi sulmi i Gjermanisë ndaj BRSS. Kishte ndërmjet të përndjekurve dhe elementë nacionalistë që Qeveria shqiptare, sidomos ajo e Mustafa Krujës, në shumicën dërmuese i pati kthyer në Vendin e tyre.
“Nga fundi i vitit 1939 deri në tetor të 1940-ës simpatia progresive kundrejt Italisë, sigurisht i kushtohej shpresës së deklaruar që Italia, me prestigjin e saj, do të mund të arrinte bashkimin me Shqipërinë të trevave të shkëputura”
“ Citoheshin në veçanti dorëzimet e dokumentavet nga shumë personalitete të rradhës së parë, që dëshmonin të drejtën e shqiptarëve për të zotëruar Çamërinë. Shtonja se nga Pindi banorët arumunë i dërgonin shumë bashkatdhetarëve të tyre, shpesh në pozita të larta, shprehjen e dëshirës që territori i tyre një ditë t’i bashkohej Shqipërisë. Kjo edhe në kujtimin e periudhës 1917-18, në të cilën trupat tona kishin pushtuar atë krahinë.
Fushata e shtypit, e zhvilluar mbas vrasjes së Daut Hoxhës, dhe lajmet rreth incidenteve të ndodhura ndërmjet Italisë e Shqipërisë, kishin lumturuar shpirtin e shqiptarëve që banonin jashtë. Ishim informuar se Faik Konica, ish Ministër i Shqipërisë në Uashington, ishte i gatshëm të jepte pëlqimin e tij për regjimin e ri, kur ai të vërtetonte se donte të bashkonte të gjithë shqiptarët në një shtet.”
Siç shihet nga këta fragmente të veprës së Jakomonit, çështja kombëtare ishte bërë ajo kryesore e politikës shqiptare, por në të njëjtën kohë dhe një problem me shumë rëndësi për Italinë dhe marredhëniet e saj me shtetet e Ballkanit. Jakomoni mëton, në kujtimet e tij, të paraqesë anën pozitive të problemit çam. Në të duket se italianët e ngrinin këtë për të plotësuar premtimin kundrejt nacionalizmit shqiptar.
22 maj 1940. …Shqiptarët janë hedhur në rrugën e ndërhyrjes : duan Kosovën e Çamërinë! Për ne është e lehtë ta rritim popullaritetin tonë, duke u bërë eksponentë të nacionalizmit shqiptar!”
Edhe Çiano, si Jakomoni kalëron çështjen e shqiptarëve. Instrumentalizimi i vrasjes së Daut Hoxhës kishte për synim bindjen e opinionit publik shqiptar, se ishte ky shkaku i një lufte të mundshme me Greqinë. E vërteta ishte se i mëshohej atij argumenti për të fshehur motivin e vërtetë të një sulmi të paracaktuar kundër Greqisë, që ishte element kryesor i strategjisë italiane për Ballkanin. Nëse dikush, në konferencën e Paqes në Paris më 1946, e ka tundur flamurin e akuzave greke kundër Shqipërisë e, për më tepër, Greqia ende në teori ruan gjendjen e luftës, duhet të dijë se vendimet për luftën italo-greke janë marrë kryekëput nga Qeveria italiane, për të realizuar projektin e saj të Perandorisë e në garë me aleatin gjerman që kishte pushtuar Rumaninë, pa e vënë në dijeni më parë Musolinin. Sigurisht, shqiptarët e prisnin me ankth një çast të tillë, por nuk ishin ata që vendosnin për luftën italo-greke. Të fajësohen qëndrimet e nacionalizmit shqiptar, sepse kërkonte bashkimin e atyre trojeve me Shtetin e tij, një bashkim që kishte ekzistuar që nga agimet e qytetërimit, më duket diçka absurde.
Vetëm historiografia dogmatike komuniste, për të cilën kombi është një entitet “reaksionar” e vlerat e vërteta janë “internacionalizmi proletar”, mund t’a pranojë e t’a pohojë me zë të lartë. Nëse ky bashkim vinte nga lufta e italianëve që donin të zgjeronin perandorinë e tyre, nuk më duket se ka ndonjë arsye, edhe në logjikën e saj më parake, që ndonjë shqiptar, që kishte 30 vjet që vajtonte Atdheun e cunguar nga grekët e serbët, mos t’a pranonte e, aq më tepër, t’a kundërshtonte. Nëse ndonjë ultra dashamir i Greqisë sheh në këtë veprim një shfaqje shovinizmi të Shtetit shqiptar të kohës e klasës drejtuese të tij, një veprim të dënueshëm që gjoja Caldaris e përdori si argument që padiste Shqipërinë në Konferencën e Paqes, ai o ka nevojë për një vizitë psikiatrike, ose ka ngatërruar kombësinë e, gabimisht ka marrë atë shqiptare.
Nëse dërgata greke në Paris i dha shfrim të lirë gjithë arsenalit tradicional kundër shqiptar, si zakonisht deri në atë kohë, duke sjellë në skenë dhe Ismail Qemalin, për të argumentuar shovinizmin e saj të pabazë e të paparim në kërkesat për territore të tjera shqiptare, kjo ndodhte se Shqipërinë atje e përfaqësonin njerëz që ishin jo zëdhënës të interesave shqiptare, por të atyre jugosllave. Shqipëria u vu në bankën e t’akuzuarve, jo për qëndrimin në luftën italo-greke, kur ajo ishte një Vend i pushtuar dhe nuk kishte asnjë fuqi për t’a nxitur apo për t’a ndaluar luftën. Aq është e vërtetë kjo sa që as Çamëria, as krahina e Pindit dhe as Janina, Arta e Preveza, territore mijëvjeçare shqiptare, nuk u bashkuan me Shqipërinë, për një vendim të diskutueshëm të Ministrisë së Jashtme italiane. Historianët e regjimit e fshehin të vërtetën kur nuk thonë se Shqipëria u padit në Paris, si një shtet terrorist, që kishte shkaktuar vdekjen e më shumë se 40 detarëve britanikë, aleatë të fuqishëm gjatë luftës, si pasojë e minave, të vëna nga padronët e çastit në politikën shqiptare, komunistët jugosllavë, me miratim të Qeverisë së Enver Hoxhës.
Por le të shohim se çfarë shkruan Çiano në ditarin e tij : “Viti 1940 17 gusht. Alfieri ka patur një takim interesant me Ribbentropin. Rezulton : 1) Qeveria gjermane nuk dëshiron një afrim të ri, shumë të theksuar midis nesh e Rusisë; 2) Duhet të lihet mënjanë çfarëdo projekt sulmi mbi Jugosllavinë; 3) Një aksion eventual kundra Greqisë nuk është i mirëpritur në Berlin. Ky është një bllokim i plotë në të gjithë linjën. Sipas Ribentropit “çdo përpjekje duhet të përqëndrohet kundër Britanisë së Madhe, sepse ajo-dhe vetëm ajo- është çështje jete a vdekje”. Duçja e redaktoi vetë përgjigjen : natyrisht pranojmë pikëpamjen berlineze! Edhe përsa i përket Greqisë : e futim në kasafortë notën që tashmë ishte gati.
12 tetor… Duçja është i indinjuar mbi të gjitha për pushtimin gjerman të Rumanisë. Thotë se kjo ka bërë përshtypje të thellë e të keqe në opinionin publik italian, sepse nga arbitrati i Vjenës, askush s’e priste këtë rezultat. “Hitleri më vë gjithmonë përballë faktit të kryer. Këtë herë do t’a shpërblej me të njëjtën monedhë : do t’a mësojë nga gazetat që kam pushtuar Greqinë. Kështu do të rivendoset ekuilibri”.
E pyes në se është dakord me Badoglion. “Akoma jo” u përgjigj “Por jap dorëheqje si italian nëse dikush gjen vështirësi për t’u ndeshur me grekët”. Tashmë Duçja është i vendosur të veprojë. Në realitet besoj që operacioni është i frutshëm dhe i lehtë.
14 tetor. Musolini më flet sërish për aksionin në Greqi dhe fikson ditën e 26 tetorit. Jakomoni jep informacione shumë të favorshme, veçanërisht për gjëndjen shpirtërore të popullsisë çame që është në favorin tonë.”
Cilido që nuk ka yzengji në tru e kupton se nuk mund të ketë asnjë lloj veprimi që ngarkon me përgjegjësi Qeverinë shqiptare në atë rast. Dihet se si rrodhën ngjarjet në luftën italo-greke. Humbja e italianëve qe i pari dështim i Boshtit në fushën ushtarake, në Luftën e Dytë botërore. Por thyerja e italianëve në Epir u pasua me sulmin gjerman në Ballkan dhe barazpeshat e Versajës u rrëzuan më 18 dhe 27 prill, me hyrjen e gjermanëve në Beograd e në Athinë. Këta veprime luftarake ndryshuan edhe hartën e Ballkanit, me krijimin e shteteve të Kroacisë e të Malit të Zi, me zgjerimin nga lindja e jugu të Bullgarisë e me bashkimin me Shqipërinë të Kosovës, Dibrës, zonës së Liqenjve e, më vonë të Plavës e të Gucisë. Mbetën jashtë kufijve ende Çamëria, Pindi dhe zona e Janinës, Artës e Prevezës. /Gazeta Liberale

No comments:

Post a Comment